Këtë të enjte, një ditë pas aksidentit tragjik, do t’i jepet lamtumira e fundit ish-banorit të BBVK-së, Laurent Krasniqit. Sipas njoftimit të shokut të ngushtë të tij, Egzon Sahitit, varrimi i të ndjerit do të bëhet në fshatin Llukar, nga ora 17:00.
Ndarja e papritur nga jeta e Laurent Krasniqit ka shkaktuar një tronditje të thellë në mesin e familjarëve, miqve dhe publikut që e njohu fillimisht përmes rrjeteve sociale dhe më pas si pjesëmarrës në “Big Brother VIP Kosova 3”.
Një aksident i tragjik në komunikacion ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Llukar të Prishtinës, ku ish-banori i BBVK-së, Laurent Krasniqi, i cili po lëvizte me një motoçikletë, është përplasur me një veturë, dhe ka vdekur.
Vetëm një muaj më parë, Laurenti Krasniqi kishte ndarë me ndjekësit e tij një nga momentet më të veçanta të jetës. Ai kishte publikuar një video në rrjetet sociale, ku shihej duke i propozuar të dashurës së tij gjatë një fluturimi mbi New York.